I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), thotë: “Deklarimin e fjalëve: Subhanallahi vel-hamdu lilahi, ve la ilahe ilallah, vallahu ekber’ e pëlqej më shumë se çdo gjë nën dritën e Diellit.”
Duke folur për njerëzit e pasur, sarajet e tyre madhështore, pallatet, pasurinë dhe pronën, njëri prej pararendësve të denjë ka deklaruar: "Ne hamë si edhe ata, pimë si edhe ata, shikojmë si edhe ata, por nuk do të japim llogari si edhe ata."
Natën e parë në varr do të shkojnë në harresë,
krejt pasuritë e Kisras, të gjitha thesaret e pallatet.
"E do të ktheheni te Ne një nga një, ashtu siç u krijuam herën e parë, duke i lënë pas të mirat që ua patëm dhuruar. Nuk po i shohim me ju zotat tuaj që i konsideronit të barabartë me Të, janë këputur lidhjet ndërmjet jush dhe nuk i keni afër ata që i konsideronit ndërmjetësues."[1]
Fjalët e besimtarëve gjithnjë janë:
"Kjo është ajo çka na kanë premtuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, edhe Allahu e i Dërguari i Tij e kanë thënë të vërtetën, si dhe kjo vetëm sa u forcoi bindjen e devocionin."[2]
Nga ana tjetër, hipokritët deklarojnë:
"Allahu dhe i Dërguari i Tij vetëm na kanë mashtruar kur kanë premtuar!"[3]
Dije që jeta është krijuar nga idetë. Pikërisht ato ide që i shfrytëzon, që i planifikon dhe që i jeton ndikojnë në jetën tënde dhe të shpijnë ose në lumturi ose në vuajtje.
Njerëzit e urtë kanë thënë: "Nëse je i zbathur, shiko atë që s’ka këmbë. Atëherë do ta falënderosh Allahun e Madhërishëm për të begatinë e këmbëve të shëndosha dhe të plota, që është pasuri e paçmueshme."
Një poet ka deklaruar:
Frika në zemrën time nuk do të futet para kohe,
por kur të ndodhë, nuk do t’i dorëzohem pikëllimit asnjë çast.