Kush nuk e falënderon Allahun për ujin e pijshëm, nuk do ta bëjë këtë as kur do të ketë pallate të pasura, kopshte të bukura, makina të shtrenjta dhe prona të shumta.
Si mund të falënderosh për të mira të shumta, kur nuk arrin ta bësh këtë për gjëra të vogla! Kush nuk e falënderon Allahun për bukën e thatë ai do të jetë i tillë edhe kur të kënaqet me ushqime të shijshme.
Kjo është natyra hipokrite e njeriut, të cilën Allahu e përmend në Kuran, në suren Teube:
"Ka të atillë që i janë zotuar Allahut: Nëse na jep nga begatia Jote, do të japim, me siguri, lëmoshë dhe do të jemi, me siguri, të mirë. Ndërsa kur Ai u dha nga bollëku i Vet, ata u bënë koprracë me këtë dhe ia kthyen shpinën – e ata edhe ashtu e kthejnë shpinën."[1]
Këta njerëz i hasim çdo ditë dhe habitemi si mund të jenë të zemëruar me Zotin, ndërkohë që jetojnë në shëndet, bollëk dhe lumturi. Zemrat e tyre janë boshe dhe ata nuk kanë ndjenja. Pikërisht për këtë dëshirat e tyre nuk do të realizohen as kur t’i arrijnë pasuritë më të mëdha dhe kur të jenë shumë të famshëm.
Kur jemi të zbathur, themi se do të bëhemi mirënjohës kur Allahu të na japë këpucë. Kur kemi këpucë, mirënjohjen e shtyjmë derisa të arrijmë makinën dhe kështu vazhdojnë kërkesat deri në pafundësi.
Thellohemi gjithnjë e ma shumë në harresë, e sa shumë varemi nga Allahu dhe kujdesi i Tij.