Fjala izolim ose vetmi e cila është përmendur në titull ka të bëjë me largim nga të këqijat dhe mëkatet. Kjo tërheqje ka sjell qetësim në zemër dhe në mendje, ndërsa e largon pikëllimin dhe shqetësimin.
Ibën Tejmie deklaron: "Besimtari nganjëherë duhet të izolohet në mënyrë që t’i përkushtohet adhurimit, të përmendurit e Allahut, leximit të Kuranit, bërjes së llogarisë me vetveten, recitimit të lutjeve dhe kërkimit të faljes, si dhe të largohet nga mëkati etj."
Ibën Xhevzi i ka shkruar tri kaptina lidhur me këtë temë në librin e njohur Sajdul-Hatir. Përmbledhja e këtyre kaptinave është shprehur në fjalët vijuese të autorit: "Askund nuk kam parë, e as dëgjuar e as ndjerë aq prehje, madhështi dhe respekt si në vetmi. Në momentet e vetmisë kam qenë shumë larg së keqes, mëkatit, lakmisë dhe pesimistëve kobzi, kam kursyer aq kohë, famë dhe jetë. Atëherë fillova të mendoj shumë dhe thellë për ahiretin, të përgatitem për takim me Zotin e Madhëruar dhe të Lartësuar, të bindem sinqerisht, të kaloj kohën në mënyrë të dobishme, të pasurohem me urtësi të ndryshme dhe të lexoj tekste të shumta."
Në kaptinat e përmendura dhe në libër autori e analizon dhe përshkruan fenomenin e izolimit dhe paraqet përparësitë e tij dhe ndikimet pozitive për besimtarët.
Po përsëris fjalët e mia që në vetmi është ai lloj i madhështisë e lavdisë vlerën e së cilës e njeh vetëm Allahu i Madhërishëm. Në momentet e izolimit njeriu e shfrytëzon maksimalisht mendjen dhe intelektin e vet, rafinon mendimet e veta, në zemrën e vet gjen prehje, lehtësim dhe shpërblim të madh.
Izolimi e nxitë njeriun të ndalojë prapësitë, të predikojë mirësi, të shfrytëzojë çdo moment për devocion ndaj Krijuesit, për kujtimin dhe të përmendurit e Mëshiruesin. Atëherë besimtari harron të gjitha preokupimet e panevojshme të cilat ia zënë frymën dhe e largojnë nga jeta e vërtetë dhe e sinqertë dhe bindja ndaj Allahut. Ai largohet nga dyshimet e ndryshme, shpifjet, intrigat, lakmitë dhe vështirësitë. Besimtari është gjithashtu i liruar nga qortimet e ndryshme “të pakuptimta” të njerëzve të zakonshëm dhe të mëkatarëve, alarmeve të rremë dhe teprimeve.
Me izolim njeriu mbron të metat e veta, gjuhën e nxituar, lëvizjet e padëshiruara, mendimet mëkatuese dhe epshet. Izolimi e mbron fytyrën e bamirësit, e skalit xhevahirin e mirësisë së besimtarit. Sa i bukur është izolimi me libër! Kjo është koha e vërtetë e jetës, pushim dhe rehati. Në izolim zgjidhet dashuria e njeriut, ecet drejt bindjes ndaj Allahut dhe ecet në hapësirën e mendjes.
Vetëm në izolim njeriu përsiat në mënyrë të vërtetë dhe e zbulon të vërtetën.
Kur izolohet, besimtari e kupton kuptimin dhe esencën e jetës, kalon mbi gjërat e parëndësishme të cilat na brengosin për çdo ditë dhe kështu arrin majën e adhurimit. Mendjet e tyre atëherë bëhen të qarta dhe të forta.
Shpirti mahnitet në vetmi, zemra përjeton gëzimin më të madh, kurse mendja gjen dobi të shumta.
Në izolim nuk ka shtirje dhe hipokrizi ngase në ato momente të shikon vetëm Allahu. Njerëzit nuk dëgjojnë fjalët tua, por vetëm Ai që dëgjon dhe shikon gjithçka.
Ujin e pastër dhe të mrekullueshme nga puset e vetmisë e kanë pirë më të shquarit, më të denjët, më të diturit, njerëzit prijës të paharrueshëm, gjeni dhe shembullorë. Pikërisht ky ujë ka bërë të përparojnë dhe që fara e madhështisë së tyre të zhvillohet në pemë frytdhënëse të cilat edhe sot e gjithë ditën, me ndihmën e Zotit, i shfrytëzojnë botët dhe njerëzit.
Ali ibën Abdulaziz el-Xhurxhani deklaron:
Me thanë se pikëllimi po më vret,
por askush nuk më sheh si rob të përulur.
Deklarojnë: Këtu e ke ilaçin e vuajtjeve,
e di por shpirti i lirë s’çan kokën për këtë.
Kurrë nuk do ta arrij dijen e vërtetë,
nëse e shfrytëzoj çdo lehtësim që më ofrohet.
Përulja e përsosur është virtyt,
por këtë nuk e kupton injoranti.
Sikur dijetarët t’i përmbahen kësaj, ajo do i ruaj,
ta pandehin të lartësuar, do t’i bënte të famshëm.
Por ata e injoruan dhe mohuan,
e zëvendësuan me makutëri dhe errësirë.
Ahmed ibën Halil el-Hanbeli deklaron:
Kush mëton madhështi,
e prehje nga vuajtje të mëdha.
Të largohet prej njerëzve,
e të kënaqet me pak.
Si të shërohet ndryshe,
njeriu i cili çon jetë me mëkat.
Mes fantazmave të mashtrimit,
në pallate të mërzitshme të errësirës.
I dorëzuar tërësisht lakmisë,
dhe koprracisë së skajshme?
Ah, sikur ta dinë njerëzit,
çdo rrugë të mirësisë.
Kadiu Ali ibën Abdulaziz el-Xhurxhani në një poezi tjetër deklaron:
Nuk i ndjeva ç’janë magjitë e jetës,
gjersa s’u izolova në shtëpi dhe iu përkushtova librit.
Dituria është diç madhështore,
është miku i vetëm që më intereson.
Ji i përulur dhe largohu nga njerëzit,
do të kesh jetë mbretërore.
Një poet tjetër ka deklaruar:
Lumturia dhe gëzimi zgjasin gjithnjë,
prejse u izolova duke iu përkushtuar shtëpisë.
U ndava nga kjo botë dhe nuk më interesojnë më,
as fushatat ushtarake, as lukset mbretërore.
Humejd el-Muhadithi deklaron:
Shoqërimi me njerëz nuk sjell gjë,
pos thashethemeve, prandaj ik prej tyre.
Pos kur do të mësosh diç,
ose dikujt t’i bësh ndonjë të mirë.
Ibën Farisi deklaron:
Pyete: 'Si je?'
Thash: ‘Mirë, gjë s’më mungon.'
E kur dhembja gjoksin ta plotëson,
presim ditën të largohen errësirat.
Shok e kam macen, e më lumturon libri,
që dashuri ndriçuese e kam.
Kanë deklaruar: "Çdonjëri që e do vetminë, për të është madhështi."
Çdonjëri që do të mësojë diç më shumë lidhur me këtë le të lexojë librin Vetmia ose El-Azle nga autori i shquar Hatabi.