Vendosmëria, konsekuenca dhe efikasiteti janë veti të pandashme të besimtarit.
"Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata të cilët e besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, si dhe pastaj më nuk dyshojnë, dhe luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Ata janë të sinqertët!"[1]
Ndërsa për pabesimtarët qëndron:
"Ty do të kërkojnë leje vetëm ata që nuk besojnë në Allahun dhe në Ditën e Kiametit dhe që zemrat e tyre dyshojnë. Ata luhaten në dyshimin e vet."[2]
Prandaj, te besimtarët nuk ka hezitim, pavendosmëri dhe dyshim, siç është rasti me hipokritët. Pikërisht ky dyshim shkakton vështirësi te hipokritët dhe jobesimtarët, rrënon mendjen dhe etjen e tyre. Robi i vërtetë i Allahut duhet të synojë të vërtetën dhe jo t’i dorëzohet dilemave e vesveseve të shejtanit.
Lëri fjalët: 'mbase’, 'me gjasë' e 'do të duhej’,
Por ec përpara në jetë si shpata e trimit.
Një njeri hezitonte shumë që të shkurorëzohet nga gruaja e cila i kishte shkaktuar shumë telashe dhe prapësi. Atëherë shkoi të ankohej te gjykatësi, i cili e pyeti: "Sa kohë ka që je me të?"
"Katër vjet", u përgjigj burri.
"Po si e ke duruar aq gjatë helmin në venat tua?", ia ktheu gjykatësi.
Natyrisht, njeriu duhet të jetë i pajisur me durim dhe pritje të një gjendje më të mirë. Por deri kur?
Njeriu i mençur e di nëse diç është kalimtare dhe afatshkurtër ose ka të bëj me ndonjë të metë të pashërueshme dhe të papërmirësueshme, nëse diç është e përmirësueshme apo jo, dhe në bazë të kësaj ai pastaj merr vendim të përshtatshëm.
Largohu shpejt nga ajo,
që zemra nuk ta do!
Njerëzit shpesh janë të hutuar para dilemave të mëdha, të cilat janë të shprehura posaçërisht kur bëhet fjalë për katër gjëra:
1. Profesioni jetësor ose specializimi në punë. Kjo ndodhë shpesh, e unë njoh shumë studentë të cilët humbën shumë vite duke mos ditur çka do të bëjnë në jetë. Shumë prej tyre shkatërrojnë rininë e vet dhe shkollimin. Shumë të tjerë, gjithashtu, bredhin nga një fakultet në tjetrin për të parë çka nuk u përshtatet dhe në fund përfundojnë në një fakultet të tretë. Sikur të kishin menduar seriozisht, të ishin këshilluar me Allahun dhe të kishin kërkuar nga Ai me lutje, istihare, përgjigje, menjëherë do ta dinin çka është profesioni i tyre jetësor;
2. Puna e përshtatshme gjithashtu është objekt i shumë hezitimeve, i dyshimeve dhe i hulumtimeve. Të shumtë janë ata që nuk mund të kuptojnë se cila punë është më e duhura për ta dhe çka dinë ata më së miri. Kështu shpesh i kryejnë disa punë, pastaj i braktisin, e serish ia fillojnë rishtas të punojnë diç tjetër. Atyre duhet thënë t’i qasen asaj që u ka dhënë Allahu dhe se kështu do ta gjejnë edhe prehjen e vet shpirtërore;
3. Martesa. Numrin më të madh e të rinjve e mundon shumë ky problem. Ata janë të hutuar kur duhet bërë zgjedhje. Nganjëherë vajza e pëlqyer nuk i pëlqen babait apo ndoshta nënës. Shpesh djemtë ia plotësojnë dëshirën babait, e nuk vendosin vetë e të ngjashme. Këshilla ime është që vetë të rinjtë të mendohen mirë lidhur me bashkudhëtarin e jetës dhe të shikojnë më së shumti besimin dhe edukatën e bashkëshortes së ardhshme;
4. Shkurorëzimi. Edhe ky është vend i problemeve, kontestimeve dhe hezitimeve të shumta. Nganjëherë burri dëshiron ta lëshojë gruan, por së shpejti e ndryshon mendimin, pastaj serish i kthehet mendimit të vjetër, duke e torturuar dhe e munduar kështu në pafundësi shpirtin dhe mendjen e vet.
Besimtari të gjitha këto mëdyshje duhet t’i eliminojë me vendime të pamohueshme, ngase në këtë botë jeton vetëm një herë. Dita e cila ka kaluar nuk do të kthehet më kurrë. Ora e jetës sonë kurrë më nuk do të përsëritet. Çdo çast duhet kaluar në lumturi dhe në kënaqësi. Këtë lumturi duhet transmetuar te të tjerët. Lumturia, natyrisht, së pari arrihet me vendosmëri. Besimtari me siguri ka arritur sukses dhe lumturi kur të vendosë për diç, kur këshillohet, falë istihare dhe mbështetet te Allahu. Atëherë ai është si agimi ose shpata e mprehtë.
"Tregoju atyre historinë e Nuhut, kur i tha popullit të vet: “O populli im, nëse për ju është e rëndë prania ime midis jush dhe që t’ju përkujtoj shenjat e Allahut, dijeni se unë jam mbështetur vetëm tek Allahu! Prandaj, bashkë me idhujt tuaj, vendosni si do të veproni dhe vendimi juaj le të mos fshihet; zbatojeni kundër meje e mos më jepni kohë!"[3]