"Dhe ai bëri kontrollin e shpezëve, pastaj tha: ‘Përse nuk po e shikoj pupëzën, mos mungon? Nëse nuk më sjell ndonjë arsyetim të duhur, do ta ndëshkoj me dënim të rëndë ose do ta therë!' Dhe nuk zgjati shumë, e ky arriti, duke deklaruar: 'Kam mësuar diç që ti nuk e di, nga Saba të sjell një lajm të sigurt. E kam parë që një grua sundon atje dhe se i është dhënë gjithçka e nga çdo lloj, po ka edhe një fron madhështor: 'e kam parë që edhe ajo edhe populli i saj e adhurojnë Diellin, e jo Allahun, - shejtani ua kishte zbukuruar veprimet e tyre dhe i kishte larguar nga Rruga e drejtë, andaj ata nuk arrijnë ta gjejnë Rrugën e drejtë e ta adhurojnë Allahun, i Cili zbulon atë që është e fshehur në qiej dhe në Tokë dhe i Cili e di atë që fshihni dhe atë që e shfaqni haptas. Allahu, s’ka zot tjetër pos Tij, është Zot i çdo gjëje që ekziston!' 'Do ta shohim', tha Sulejmani, 'nëse e thua të vërtetën apo jo. Dërgoje këtë letër timen dhe hidhe, pastaj largohu pak prej tyre dhe shiko çka do t’i deklarojnë njëri tjetrit!'"[1]
Me të vërtetë është edukativ dhe impresiv rrëfimi Kuranor për pupëzën. Allahu këtu tregon se si një shpezë e imët mund të ketë një rol të rëndësishëm historik. Të përmendurit e pupëzës mbetet si shembull i përjetshëm për të gjithë brezat. Disa dijetarë mahniten nga pupëza dhe mendjehollësia e tij, e cila qëndron përkundër mendjemadhësisë dhe fudullëkut të faraonit. Në të vërtetë, faraoni e mohonte Allahun kur ishte në kulmin e begatisë dhe të fuqisë, andaj atij nuk i ndihmoi besimi në momentin e fundit, tejet të rëndë të jetës. Pupëza besonte gjersa ishte në begati, andaj ky besim i ndihmoi kur u gjend në nevojë.
"Dhe Faraoni tha: “O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje! O Haman, më ndez një zjarr për të pjekur qerpiçë dhe më ndërto një kullë të lartë që të ngjitem te Zoti i Musait. Jam i bindur se ai (Musai) gënjen!"[2]
Kurse faraoni ishte arrogant dhe fliste gënjeshtra të shumta për Allahun dhe veten e konsideronte si të plotfuqishëm, pupëza foli me përulje: "Allahu, s’ka zot tjetër pos Tij, është Zot i çdo gjëje që ekziston!"
Me të vërtetë është fatkeq ai mendja e të cilit nuk është më e madhe se mendja e pupëzës ose e një milingone të vockël. I pamend është ai që ndodhet në terr, në mashtrim dhe që nuk i bën dobi askujt. Nuk janë sytë ata që shikojnë, porse zemrat e verbra në gjokse.
"Ne kemi paracaktuar për Xhehenemin shumë xhinde dhe njerëz, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit."[3]
Nëse e shikojmë botën e bletëve, do ta kuptojmë begatinë e madhe të Allahut, mëshirën dhe përsosmërinë në krijim. Në këto qenie të vogla ka aq shumë mirësi dhe dobi për të gjithë njerëzit dhe krijesat. Ato ndërtojnë shtëpi në mënyrë të përkryer, janë gjithnjë në lëvizje, vizitojnë lulet, qëndrojnë afër vetëm gjërave të pastra, marrin nga bota më të mirën dhe e japin më të mirën. Në fund, kthehen me pijen më shëruese, më të shëndetshme dhe më të ëmbël për njerëzit. Ato kurrë nuk gabojnë në rrugën e tyre dhe kanë aftësi t’ua bartin “mikeshave” të tyre koordinatat e sakta ku duhet të gjejnë fusha me lule.
"Zoti yt e frymëzoi bletën: 'Ndërto shtëpi për vete në kodra dhe në lisa edhe në atë që ndërtojnë njerëzit, pastaj ushqehu me fryte të ndryshme, pastaj shkon nëpër shtigjet e Zotit të vet, e bindur!' Nga barku i tyre del një pije me ngjyra të ndryshme e cila është ilaç për njerëzit. Kjo është, vërtet, argument për njerëzit që mendojnë."[4]
Secili që mendon për këta shembuj dhe porosi të mrekullueshme do ta kuptojë se si Allahu Mëshirëplotë dhe Një e frymëzon bukurinë dhe mirësinë te krijesat e Tij. Prandaj, lutu vetëm Atij, përmende emrin e Tij dhe kërko ndihmë vetëm prej Tij. Ne, njerëzit, që moti e kemi dhënë betimin, që do t’i falemi dhe t’i bëjmë sexhde vetëm Allahut, se vetëm Atë do ta falënderojmë dhe ta respektojmë. Pastaj, njeriu duhet ta dijë se të gjitha këto krijesa të shumta nuk mund të shtojnë apo heqin diç çka të ka caktuar Allahu. Të gjitha ata janë të varur dhe të varfër. Të gjithë ata e duan Allahun. Të gjithë ata kërkojnë furnizim nga qielli ditë e natë. Të gjithë ata luten për shëndet, lumturi, respekt, famë, pasuri dhe gjithçka tjetër vetëm Allahut, ngase ata nuk posedojnë asgjë, e Atij i përket gjithçka.
"O njerëz, ju jeni të varfër, ju keni nevojë për Allahun, ndërsa Allahu është i pavarur dhe meriton falënderim."[5]
O njeri, duhet ta dish se vetëm Allahu mund të udhëzojë, ndihmojë, mbrojë, të kujdeset për ty dhe do të dhurojë me begati. Prandaj, bëhu rob vetëm i Atij. Zemrën dorëzoja vetëm Allahut. Pyete vetëm Atë, lutu vetëm Atij dhe kërko vetëm prej Tij. Mos harro që çdo krijesë i lutet Allahut dhe varet nga Ai, ngase kalimtarja ka nevojë për të përjetshmen, pafuqia ka nevojë për fuqi dhe skamja – për pasuri. Tërë pushteti, pasuria dhe përjetësia ndodhen vetëm te Allahu.
Kur ta kesh kuptuar këtë dhe fillon të jetosh sipas kësaj, ji i gëzuar, kërko falje nga Zoti, lutu me përulje dhe pendohu. Kërko nga Allahu dhe Ai do të japë, kur është fjala për furnizim, ndihmë ose diç tjetër, e akoma nëse je mirënjohës, Allahu do ta kompensoj edhe më shumë.