I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ka thënë se Allahu i lartësuar thotë: “Unë jam me mendimet e robit tim, andaj të mendojë për mua çka të dëshirojë.”
Njerëzit e urtë kanë deklaruar se shpresa e ushqen durimin, kurse sekreti i shpresës është në mendimin e mirë për Allahun, ngase kjo nuk e lejon pikëllimin. Kur e shikojmë jetën e njerëzve më të mirë në tokë, shohim se ata janë personat, për të cilët kemi mendimin më të mirë dhe me të cilët nuk jemi zhgënjyer kurrë. E si mund të jetë ndryshe kur bëhet fjalë për më Fisnikun prej të gjithë fisnikëve, i Cili robërve të Tij u dhuron shumë të mira.
Dashuria e Allahut manifestohet më së miri në momentet e shpëtimit. Në të vërtetë, kur njeriu zhytet në vështirësi të mëdha dhe të gjitha shpresat e veta i orienton kah Zoti, Ai sakaq i përgjigjet, e ndihmon atë dhe i sjell shpëtim. Krejt kjo ndodh për shkak të mendimeve të mira për Të.
"Ata të cilëve ju u luteni, krahas Allahut, vërtet janë robër, si edhe ju. Ani, ju madhëroni por a do t’u përgjigjen nëse e thoni të vërtetën! A kanë ata këmbë që me to të ecin, apo duar që me to të kapin, a kanë sy që me ta të shikojnë, ose veshë që me ta të dëgjojnë? Thuaj: ‘Ftoni zotat tuaj, pastaj kundër meje trilloni çfarëdo dinakërie dhe mos hezitoni, mbrojtësi im është Allahu, i Cili Librin e shpalli dhe Ai kujdeset për të mirët.’ Kurse atyre që ju u luteni, krahas Tij, nuk mund t’ju ndihmojnë as juve e as vetes. Kurse kur i luteni t’ju udhëzojnë në Rrugë të drejtë, ata nuk dëgjojnë; i shikon si të vështrojnë, por ata nuk të shohin."[1]