Thotë Allahu i lartësuar "Po, me të vërtetë, me vuajtjen vjen edhe kënaqësia."
O njeri, dije se pas urisë vjen ngopja, pas etjes - uji, pas pagjumësisë - gjumi, pas sëmundjes - shërimi. Ai që është zhdukur do të paraqitet, të humburit do ta gjejnë rrugën, brengat do të kalojnë, kurse errësira do të hiqet.
"Ndërsa Allahu me siguri do të japë, nga ana e Tij, fitore apo diç tjetër."
Përgëzo natën me agim që i paraqitet faqes së maleve dhe që i shtrihet luginave. I përgëzo fatkeqit me dalje të pritur, e cila shfaqet në çast dhe përgëzo të dëshpëruarin me fjalë të bukura dhe falje mëkatesh.
Kur shikon një shkretëtirë e cila shtrihet në pafundësi, dije se pas saj ndodhet ndonjë oazë e gjelbëruar plot freski. Nëse shikon një litar të shtrëngohet shumë, dije se do të këputet. Pas lotit vjen buzëqeshja, pas frikës – siguria dhe pas shqetësimit - qetësia.
Zjarri nuk e ka djegur Ibrahimin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ngase ai ka qenë nën mbrojtjen dhe strehën e Zotit.
"O zjarr, thamë Ne, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!"
Deti nuk e gëlltiti Musain (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), sepse ai me sinqeritet kishte deklaruar:
"Zoti im është më mua, Ai do të më tregojë rrugën."
Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), në shpellë i thotë shokut të tij se Lavdiploti dhe i Madhërishmi është me ne, andaj Ai lëshoi mbi ta qetësinë dhe u dhuroi fitore.
Ata të cilët verbohen me situatën momentale dhe gjendjen e keqe ndjejnë vetëm shqetësim dhe angështi ngase shikimi i tyre nuk arrin larg. Duhet shikuar çka ndodhet prapa murit, çka fshihet prapa tendës.
Prandaj, mos u shqetëso fare ngase është e pamundur që gjithnjë të jesh në një gjendje. Adhurimi më i mirë është pritja e rrugëdaljes. Ditët ndryshojnë njësoj sikur koha. Krijuesi i urtë në çdo çast është duke bërë diç. Pas ngjarjeve të para Ai jep të tjera, andaj pas vuajtjes vjen kënaqësia.