Mos i imito njerëzit dhe mos u shkrij me të tjerët ngase kjo nënkupton vuajtje të vazhdueshme. Duke iu përkushtuar të tjerëve, shumë njerëz kanë harruar shpirtin e tyre, zërin, lëvizjet, të folurit, shprehitë dhe gjendjen e tyre reale. Kjo është shtirje e plotë, falsifikim, por edhe shkrirje e qenies dhe e personalitetit vetjak.
Prej Ademit e deri te njeriu i fundit në Tokë, kurrë nuk do të hasësh në dy persona identikë, përse pra njerëzit dëshirojnë të identifikohen me të tjerë.
Dije se ti je qenie unike në tërë historinë e njerëzimit dhe se askush identik me ty nuk është paraqitur në të kaluarën dhe nuk do të mund të paraqitet kurrë në Tokë. Për shembull, ti dallon tërësisht nga Zejdi apo Omeri, andaj mos e detyro shpirtin tënd të zhduket në skëterrën e imitimit dhe të ndjekjes së verbër.
"Tregoje personalitetin dhe veçantinë tënde."
"Çdo grup e dinte burimin nga i cili do të pinte."
"Secili drejtohet nga kibla e vet, kurse ju përpiquni të tejkaloni të tjerët duke kryer vepra të mira!"
Prandaj ji i atillë çfarë të ka falë Zoti. Mos e ndrysho zërin apo theksin. Mos kundërshto mënyrën tënde të ecjes. Kultivo shpirtin tënd sipas shpalljes, por mos e shkatërro qenien dhe veçantinë tënde. Ti ke ushqimin dhe ngjyrën tënde të preferuar. Pikërisht kështu të duam, ngase kjo është veçantia e krijimit tënd dhe ashtu të kemi njohur.
"Asnjëri prej jush të mos bëhet parazit."
Kur bëjmë fjalë për natyrën e njeriut, atë mund ta krahasojmë me botën e bimëve. Kemi fryte të ndryshme: të ëmbla e të hidhura, të gjata e të shkurtra dhe kështu duhet të jetë. Andaj nëse je si banane, mos u shndërro në ftua, ngase bukuria dhe pamja jote janë në gjendjen burimore. Në dallimet midis ngjyrës sonë, gjuhëve, afiniteteve dhe mundësive i shihni argumentet e Krijuesit. Andaj, mos i moho argumentet e Tij.