Njeriu i ditur dhe i mençur di ta shndërrojë humbjen në fitore, gjersa i padituri nga një fatkeqësi krijon dy të këqija.
I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ishte dëbuar nga Meka, andaj u vendos në Medinë dhe prej saj formoi një shtet, për të cilin kanë njohuri të gjithë historianët e botës.
Ahmed ibën Hanbeli është burgosur dhe është kamxhikosur, ndërsa u bë prijës, e imam i tërë umetit.
Dijetari Ibën Tejmije është burgosur, edhe pastaj u bë dijetar i shquar.
Sarhasi është flakur në fund të pusit, pastaj ka shkruar njëzet vëllime mbi fikhun. Ndonëse ka qenë i burgosur.
Ibën Ethiri e ka shkruar veprën e shquar Xhamiul Usul, si dhe njërën prej librave më të çmuar dhe më të njohur të hadithit.
Ibën Xhevzi ka qenë i dëbuar prej Bagdadit, pastaj u bë prijës në shtatë leximet - kiraete.
Malik ibën Rejbi në çastet e vdekjes ka shkruar një prej poezive më të bukura, e cila për nga bukuria tejkalon shumë divane poezish të shkruara në periudhën e Abasidëve.
Për të gjithë njerëzit dhe të gjitha kohët do të mbesin në kujtim elegjia të cilën e ka shkruar Ebu Dhuejbi me rastin e vdekjes së bijve të tij.
Kur të vijë ndonjë fatkeqësi e pritur, shiko andej nga mund të vijë shpëtimi. Kur dikush të ofron një gotë limon, merre dhe hidh në të sheqer. Nëse dikush të dhuron një gjarpër, shfrytëzoje lëkurën e tij të çmuar, kurse pjesën tjetër lere. Nëse të kafshon akrepi, dije se kafshimi i tij e mbron më së miri trupin tënd nga helmi i gjarprit. Të gjitha situatat në jetë përshtati për vete, ashtu që gjithnjë prej tyre të marrësh lule dhe fryte të dobishme.
"Mund të mos doni diçka, ndërsa ajo është më e mirë për ju."
Në një burg ndodheshin dy poetë të dënuar me vdekje, njëri pesimist ndërsa tjetri optimist. Para daljes në ekzekutim, shikuan nëpër dritaren e burgut. Optimisti e drejtoi shikimin kah qielli e yjet dhe buzëqeshi. Tjetri shikoi baltën dhe gjolet në rrugicën e afërt kurse fytyrën ia njomën lotët. Mendo për këta dy njerëz dhe dije se të keqe nuk ka, kurse e mira është e përjetshme dhe përfundimtare.