Ibrahim ibën Xherrah tregon njëherë se e kishte vizituar Ebu Jusufin, i cili ishte aq i sëmurë sa e humbte vetëdijen.
"Kur erdhi në vete", rrëfen Ibrahimi, më shikoi dhe më pyeti për një të dispozitë të fikhut.
'Po ku e gjete tani të bisedojmë për këtë, o Ebu Jusuf!' – i thash.
'Po ku është problemi, mendoj se nëse e shqyrtojmë këtë dispozitë, me siguri dikujt do t’i hyjë në punë.'
"Pastaj e trajtuam problemin kush duhet të japë selam i pari: Kalorësi, këmbësori apo ai që rri ulur. Pasi e përfunduam këtë, dola i hutuar me kthjelltësinë e mendjes së tij. Nuk isha larguar shumë nga dera e hyrjes, kur dëgjova gjëmën. Ebu Jusufi kishte ndërruar jetë, Allahu e mëshiroftë."
Një shkrimtar bashkëkohor shkruan: "Vetëm shikoni këta njerëz! Ata janë vërtet shembull i ndritur për secilin. Madje edhe kur vdekja t’i vijë në prag, kur shpirti i vinte në fyt dhe kur humbnin vetëdijen nga agonia, gjenin forcë të këndellën dhe atëherë dëshironin të zgjidhnin dhe të interesoheshin lidhur me ndonjë çështje të fikhut."
Nga shembujt e mësipërm e vërejmë se këto çështje nuk kanë qenë me ndonjë rëndësi tepër të madhe. Por, ata nuk kanë çarë kokën për këtë, ngase në çdo moment të jetës së tyre kanë dashur të mësojnë ose të këshillojnë. Në këto synime të ndershme edhe kanë vdekur.
Në momentet kur edhe më të sinqertët shokun e harrojnë,
dhe kur edhe më të përmbajturit e kanë humbur mendjen.
O Allah, sa shumë e kanë pasur për zemër diturinë! Sa e kanë vlerësuar! Sa i janë përkushtuar dhe i janë dorëzuar asaj. Madje edhe në çastet e vdekjes mendonin për të, e jo për gratë, fëmijët, familjen apo shokët e tyre.
Allahu i Madhërishëm e Mëshirëplotë i mëshiroftë dhe i shpërbleftë me Xhenet. Ata u bënë prijës në fe dhe dituri.